Fjalë Kyçe

Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, AAK nuk pranon të jetë pjesë e saj

Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, AAK nuk pranon të jetë pjesë e saj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se Qeveria Kurti do të jetë një zhgënjim për qytetarët, pasi ajo sipas tij, nuk do të jetë në gjendje të përmbushë pritjet e tyre.

Ai tha gjithashtu se ka dyshime në aftësitë menaxheriale të Albin Kurtit, i cili synon të udhëheqë ekzekutivin pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka bërë të ditur se nuk ka marrë ftesë nga Vetëvendosje dhe LDK-ja për formimin e institucioneve, por pavarësisht kësaj, ai shtoi se AAK nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie dhe se ajo do të qëndrojë në opozitë.

Haradinaj ka pohuar se deklaratat e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për çkapje të shtetit nuk janë të vërteta dhe se koalicioni qeverisës i këtyre dy partive do të jetë shumë i dobët.

Megjithatë, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj e pranoi se gjendja e tanishme nuk është e mirë, për shkak të mos pajtimeve për postin e presidentit ndërmjet VV dhe LDK-së, dhe ai kërkoi formimin sa më parë të institucioneve të reja, pasi çdo vonesë në këtë drejtim do të dëmtojë funksionalitetin e shtetit.

Ndërsa për takimin e paralajmëruar mes vendeve të Ballkanit për çështjen e Mini-Shëngenit më 21 dhjetor në Durrës, Haradinaj se Kosova nuk ka marrë ftesë për këtë takim, ndërkohë theksoi se nuk do të marrë pjesë edhe nëse vjen një ftesë e tillë.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua platforma vjetore e Politikave të Inteligjencës dhe Sigurisë, projekt-rregullorja për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me strukturën e gradave të organizimit të brendshëm.

Gjithashtu, Qeveria vendosi që nga kursimet dhe ndarjet buxhetore të këtij viti të ndajë 2 milionë e 52 mijë euro për kompensimin e shtesave në pagë për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës gjatë vitit 2018.

Kabineti qeveritar u pajtua edhe për rregulloren për shtesën e rrezikshmërisë në punë për Policinë e Kosovës që do të hyjë në zbatim bashkë me Ligjin e Pagave.

Gjithashtu, Qeveria vendosi edhe për ndarjen e mjeteve financiare për Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.