Pas therjes me thikë të një adoleshenti serb në Urën e Ibrit në Mitrovicë, ka reaguar kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka thënë se e dënon ashpër rastin e përleshjes dhe therjes së një të riu serb në lumin Ibër. Ndërkohë, që ka bërë thirrje drejt organeve të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.
“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend!”, ka shkruara Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Ngjarja ka ndodhur sonte në Urën e Ibrit në Mitrovicë e cila nisi nga një përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve, ku si pasojë mbeti i lënduar një person.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar Besim Hoti, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës
“Përleshja ka ndodhur në hyrje të Urës së Ibrit . Sipas dëshmitareve i riu serb kanë qenë i ngatërruar me disa të rinj shqiptarë. Këta kanë përdorur mjete të mprehta dhe e kanë goditë të riun dhe më pas kanë ikur në drejtim të jugut”, ka thënë Hoti për Insajderin
Po ashtu, Hoti, thotë se hetuesit janë duke kërkuar pamjet nga vendi i ngjarjes për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Ai lënduari është jashtë rrezikut për jetë.