Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me anëtarë të kabinetit qeveritar, mori pjesë në ecjen solidarizuese dhe bëri homazhe te ‘Përmendorja dedikuar personave të zhdukur’, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur.
Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se të zhdukurit e luftës janë plaga jonë më e madhe, që na përcjellë secilën ditë, tash e dy dekada.
“Është obligim i yni shtetëror që të punojmë përditë, pa u ndalur, që ta zbardhim fatin e tyre. Kosova nuk harron!”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.
Bajram Çerkini, anëtarë i Komisionit për Persona të Zhdukur/Përfaqësues i Shoqatave Familjare, duke folur në emër të shoqatave, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për angazhimin e tij, por edhe për ndihmën e ofruar familjarëve dhe krijimin e kushteve më të mira për punë për shoqatat që merren me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duke shpresuar që edhe Ligji për persona të zhdukur të përfundojë në afatin sa më të shpejtë kohor.