Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkesën e prokurorit të rastit të “veteranëve të rrejshëm”, Enver Krasniqi për pezullim të pagesave të pensioneve për 19 mijë veteranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor, po e konsideron si akt jo ligjor dhe të shtyrë nga udhëheqësit politik në vend.
Nëse kjo ndodh ata paralajmërojnë trazira dhe deklarojnë se politika bëri presion në fryrjen e listave.
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj në një intervistë për KosovaPress deklaron se një kërkesë e tillë ka qenë tronditëse për të gjithë veteranët .
“Nuk ka asnjë bazë juridike që ajo mund të realizohet, ajo kërkesë e tij dhe nuk e di se në çka është thirrur , por unë besoj që Gjykata kur të hyj në procedura juridike t’i sheh ligjet ka me pa që ajo është e pamundur me dal ajo. Ne e dimë sigurt që nuk ka me u bë nuk ka bazë juridike. Nëse ajo bëhet ne e dimë që drejtësia është e shtyrë prej dikujt dhe ka qëllime të tjera urojmë së pari mos të jenë qëllime të armikut”, tha Haradinaj.
Sipas tij prapa kësaj kërkese po fshihen politikanët që janë në krye të vendit.
Ai i bën thirrje Prokurorisë që të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, sepse një kërkesë e tillë është thirrje për trazira.
“Nuk do dalin këta 19 mijë se në ata 19 mijë mundem me qenë edhe mashtruesit, por do dalin të gjithë veteranët. Ata nuk dalin një orë, as nuk dalim me filikaqa na, as nuk dalim me bojë të kuqe, na hyjmë flejmë aty brenda në Prokurorinë Speciale. Nëse ka qëllim me i ekzekutua veteranët le të na qet vëlla në listë të ekzekutimit le të na vret kjo ka me ndodh, nëse dikujt i konvenon kjo trazirë le ta bën. Këta po mendojnë që ne jemi specie në zhdukje, edhe këta po mendojnë se lehtë e ka me ne, por edhe ne katër të mbetshin iu dalim mjaftueshëm këtyre. Po i drejtona politikës dhe juridiksionit komplet sepse po shihet se janë të lidhur. Politika ka bërë presion në fryrjen e listave më së pari, politika ka bërë presion në prokurorin e parë, e detyroi me ik, politika po bën presion mbi prokurorin me lyp akt anti-ligjor, anti-juridik nuk është kjo askund”, thekson nënkryetari i OVL UÇK-së.
Haradinaj, kërkon që reagimi i tyre të mos merret si presion ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Nuk do lejojmë ne si organizatë, mos të mendoj se tash na vjen keq që duke e mbrojtur të pafajshmit, ne duhet me i mbrojtur edhe mashtruesit dhe nuk dua që kjo të merret si presion dhe ndikim në drejtësi, sepse drejtësia është duke na ngacmuar qëllimisht me një akt që nuk është juridikisht. Sepse ne jemi organizata e Veteranëve që kanë thirrur prokurorinë me ndërhyrë dhe këtë nuk jemi duke e kontestuar, jemi dakord”, shton Haradinaj.
Madje ai u kërkon udhëheqësve që nëse duan ta largojnë këtë pagesë për veteranët ta bëjnë, por, duhet t’i punësojnë ata, sepse siç thotë ai, veteranët janë më të shkolluar se shumë politikbërës në vend.
“Nuk është asistencë sociale, as nuk është pension por ne si veteranë e kemi kuptuar se derisa jemi kanë në gjendje me e rrezikuar jetën krejt le t’i heqin nuk kanë nevojë me vendime gjyqësore dhe le të na gjejnë punë ,secili veteran është i kënaqur me hy në punë me këto kapacitete që i ka, me këto mundësi që i ka nuk jemi hiq më pak të shkolluar se Qeveria dhe qeveritarët që marrin me nga 3 mijë euro, asnjë grimë shkollë nuk e kanë, as dije më shumë se na, bile as fals nëse i kanë nuk kanë më shumë se ne”, thotë ai.
Për një zgjidhje më të drejtë për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, thotë se duhet të formohet një trup gjykues i veçantë që do merrej shpejt me lëndën.
“Po duan me ba zgjidhje le ta formojnë një komision të veçantë, një trup gjykues të veçantë që do të merret shumë shpejt me këto lëndë, t’i procedojnë këto lëndë, pastaj nëse Nasimi del mashtrues, mund ta detyroj me akt juridik, e dënon me i kthy prapa të hollat që i ka marr, kjo bënë. Por, t’ua mohosh të drejtën përnjëherë 19 mijë vetave, unë, qofshin vetëm një mijë të vërtetë në ata 19 mijë, këtë akt juridik ky nuk mund ta marr…..Nëse bëhet, këta qëllimisht janë duke thirrur në trazira”, thotë Haradinaj.
Kujtojmë që të enjten gjatë procesit gjyqësor në rastin “veteranët e rrejshëm” , ku të akuzuar ish eprorë të UÇK-së prokurori special, Enver Krasniqi, ka paraqitur kërkesën e tij, që të pezullohet pagesa e pensioneve për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Arsyetimi i tij ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit ku është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet.