Fjalë Kyçe

Harrohet restaurimi i Xhamisë ku u investuan mbi gjysmë milioni euro

Harrohet restaurimi i Xhamisë ku u investuan mbi gjysmë milioni euro

Restaurimi i Xhamisë së Gurit nisi më 2011 për t’u ndërprerë më 2013. Ani pse në emër të restaurimit janë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro, ky monument është duke u dëmtuar çdo ditë

Pas dënimeve të personave zyrtarë për keqpërdorime, mosmarrëveshjeve midis Komunës së Prishtinës e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe një memorandumi trepalësh, Xhamia më e vjetër e Prishtinës mbetet monument i braktisur. Edhe pse u investuan gjysmë milioni euro në Xhaminë e Gurit, ajo është duke u dëmtuar çdo ditë.

Restaurimi i nisur më 2011 nuk ka përfunduar. Historia e asaj që njihet edhe si Xhamia e Çarshisë është një prej dëshmive konkrete të qasjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjendet në qendër të kryeqytetit.

Dokumenti i fundit i nënshkruar për restaurimin e këtij aseti të trashëgimisë Kulturore është Memorandumi i bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Por prej korrikut të vitit 2018, kur u firmos ky dokument, krejt çfarë është bërë, është një hap procedural. TIKA-s i është miratuar projekti nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Punimet e mbetura pezull

“Komisioni brenda IKMM-së e ka miratuar projektin. Tutje, sipas informatës nga organizata TIKA, projekti është përcjellë në Turqi gjatë muajit qershor për procedura të mëtutjeshme të tenderimit”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Ajo ka rekomanduar që për detaje të tjera të merren informacione nga agjencia turke. Por TIKA asnjëherë nuk është përgjigjur sa i përket këtij projekti. Memorandumi i nënshkruar midis tri palëve nuk mban ndonjë afat se kur do të nisin a kur do të përfundojnë punimet. Aty ceket se TIKA ka për obligim që të hartojë projektin, ta dërgojë atë në IKMM për miratim dhe t’i kryejë punimet. Roli i Ministrisë së Kulturës dhe i BIK-ut është krejt koordinues. Në memorandum nuk ka kurrfarë të dhënash as për shumën që do të investohet në këtë xhami.

Përgjigje nuk ka pasur as Komuna e Prishtinës. Madje as kryetari, Shpend Ahmeti. Më 11 gusht ai ka pasur një takim me drejtorin e kësaj organizate, Cihan Dinçer.