Fjalë Kyçe

Haxhiu: Kosova e përkushtuar që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë

Haxhiu: Kosova e përkushtuar që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkruar për masakrat e kryera nga serbët në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës 23 vjet më parë.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se “23 vjet më parë Kosova po përjetonte gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile”.

“Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.”, ka shkruar ajo.

Tutje ministrja thotë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë.

“Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë. Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës. Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë.”, përfundoi Haxhiu.