Fjalë Kyçe

Haxhiu: Qeveria do të duhej të ndante mjete për të papunët, jo për ata me pagë 1 mijë e 500 euro

Haxhiu: Qeveria do të duhej të ndante mjete për të papunët, jo për ata me pagë 1 mijë e 500 euro

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej të ndante mjete për të papunët, dhe jo për ata që e kanë pagën rreth 1.500 euro. Në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net, Haxhiu është shprehur i bindur se vota e deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të jetë pro Projketligjit rreth tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës.

Lidhur me ndarjen e mjeteve nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, deputeti nga PDK-ja vlerëson se Qeveria i ka ndarë 100 euro lëmoshë për një muaj, e që sipas tij kërkesa e qytetarëve është që të mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional, teksa thotë se Qeveria duhet të mbështeste të papunët e kategoritë e rrezikuara sociale me të hyra të ulta, jo siç vlerëson ai “në mënyrë unilaterale”, për të gjithë, si ai me pagë 1 mijë e 500 euro, si ai me pagë 200 euro.

“Qeveria ka nda 100 euro lëmoshë për një muaj, kërkesa e qytetarëve është t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Qeveria do të duhej që me këto mjete të mbështeste të papunët, kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët dhe sektorin privat e publik me të hyra të ulta dhe jo në mënyrë unilaterale për të gjithë, si ai që ka pagën 1.500 euro dhe si ai me pagë 200 euro”, thotë deputeti i PDK-së për Gazetën Online, Reporteri.net.

Masat e marra sot nga Qeveria e Kosovës, sipas kryeministrit Albin Kurti, përfshijnë dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtoret e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët.

Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, Kurti sot tha se ka filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore.

Kryeministri Kurti po ashtu bëri të ditur se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë do të dërgohet për miratim projektligji, që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, si dhe heqjes së tatimit për 250 euro pagë. Nga rritja e pagës minimale, Kurti tha se do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore, do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Ndërkaq, lidhur me nismën e tërheqjes së mjeteve të Trustit prej 30 për qind, Haxhiu shprehet mjaft i bindur se ky Projektligj do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, teksa shton se beson në votën pro të deputetëve të Kosovës.

“Besoj në votën Pro në Kuvend për tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional”, shprehet Haxhiu për Gazetën Online, Reporteri.net.

Haxhiu po ashtu thotë se tërheqja e mjeteve nga Trusti pensional e ka mbështetjen e të gjitha partive opozitare, teksa thotë se kjo mbështetet edhe nga disa deputetë të “mazhorancës”.

“Po kjo kerkesë e qytetarëve e ka mbështetjen e të gjitha partive politike opozitare dhe të disa deputetëve të mazhorancës”, përfundon Haxhiu

Vlen të theksohet se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, më datë 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Nga Trusti pensional i Kosovës ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues, tërheqje kjo e cila ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike në kohën sa Avdullah Hoti ishte kryeministër i Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit më 21 mars ka proceduar kërkesën në Qeveri dhe afati për shqyrtim është një muaj, ku tani kanë mbetur saktësisht edhe nëntë ditë afat për shqyrtimin e propozimit të PDK-së.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar se kur pritet t’i kthehet një përgjigje parlamentit lidhur me kërkesën e PDK-së, të iniciuar nga deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu