Fjalë Kyçe

Haziri reagon pas deklaratave të Escobarit: Nëse qeveria s’bie me dorëheqje, bie në forma të tjera

Haziri reagon pas deklaratave të Escobarit: Nëse qeveria s’bie me dorëheqje, bie në forma të tjera

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, derisa ka komentuar vizitën në Kosovë të emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka kërkuar rrëzimin e qeverisë me “forma tjera”.

Haziri përmes një shënimi në Facebook ka shkruar se deklaratat e Escobarit tregojnë për pikën më të ulët të raporteve Kosovë-SHBA.

“Deklarata e emisarit amerikan z. Escobar, në përfundim të vizitës, ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot qeveria e Kosovës e kryeministri i saj, me qeverinë amerikane, partnerët e saj, NATO-n, me BE-në dhe me fqinjët e saj”.

Haziri ka thënë se nëse Qeveria nuk jep vetë dorëheqje “bie në forma të tjera”.

“Qeveri jo-kompetente, e cila nuk planifikon efektet e vendimit të saj. Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera!”.

Ndryshe sot zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Escobar tha se ka, “shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se Ballkani Perëndimor është çështje e cila zë vend të veçantë në zemrat e administratës së presidentit Biden.

Në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm austriak në Vjenë, Alexander Schallenberg, numri dy i shtetit amerikan tha se ShBA-ja dëshiron që Kosova dhe Serbia t’i stabilizojnë raportet mes vete.

Sekretari amerikan i Shtetit, ka thënë po ashtu se me Austrinë, ShBA-ja po punon bashkë “për të mbështetur përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.