Fjalë Kyçe

Haziri thotë se Osmani do të dëmtohet me largimin nga LDK-ja

Haziri thotë se Osmani do të dëmtohet me largimin nga LDK-ja

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, thotë se LDK-në e pret përpara një fushatë e vështirë elektorale.

“Çdo proces zgjedhor ka vështirësitë e veta, sfidat dhe problemet që sjell procesi zgjedhor në përgjithësi, por ajo që është vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje. Pas rezultatit të 6 tetorit pas bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, që zgjati 50 ditë ne ndërtuam qeverisjen e pakicës me shumë probleme dhe sfida në politikë”, tha Haziri.

Shumë e kanë kritikuar këtë lëvizje të LDK-së si të pamoralshme, por Haziri nuk e mendon kështu.

“Ne nuk kishim alternativë tjetër dhe qeverisja e zotit Hoti është ndërtuar si opsion i vetëm meqenëse ne si forcë e dytë e dalë nga zgjedhjet duhet të ndërtonim qeverinë”, thotë Haziri për Euronews Albania.

Ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas prishjes së koalicionit qeverisës me LDK-në, është shprehur se “Lidhja Demokratike e Kosovës është një forcë që nuk duhet marrë seriozisht”, por ky etiketim i bërë nga lideri i VV-së nuk mund të konsiderohet si i vërtetë për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Në fakt ne jemi të njohur me ndryshimet e zotit Kurtit sa i përket edhe LDK-së, por edhe çështjeve të tjera politike. Tani jemi në një garë politike dhe fjalori politik e qëndrimet bëhen për konsum politik, ndërsa ne nuk jemi parti e tillë”, shprehet Haziri.

Haziri foli edhe për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja, duke thënë se është humbje e madhe për të dhe jo për partinë.

“Do dëmtohet vetë zonja Osmani në kontekstin e gjatë politik dhe jo LDK-ja, se ajo do vazhdojë të jetë në politikë”, thotë Haziri.

Teksa iu referohet sondazheve dhe perceptimit publik, Lufti Haziri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është kandidate potenciale për të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë dhe zoti Hoti do marrim përgjegjësinë dhe do të bëhem gati për të fituar, pasi sipas sondazheve tona jemi në garë për të dalë fituese”, tregon nënkryetari i LDK-së.