Fjalë Kyçe

Hendersoni, afër marrëveshjes me Brentfordin

Hendersoni, afër marrëveshjes me Brentfordin

Mesfushori i Anglisë, Jordan Henderson, pritet të nënshkruajë me Brentford pas largimit nga Ajaxi. 35-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës londineze me një kontratë dyvjeçare, pasi klubi holandez pranoi ta ndërpresë kontratën e tij një vit para përfundimit.

Për Henderson ka patur interes nga disa klube të njohura në Angli dhe Evropë, por Brentford ka fituar garën për të siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Liverpoolit. Rikthimi në elitën e futbollit anglez do t’i japë Hendersonit një platformë ideale për të ruajtur vendin në skuadrën e Anglisë të drejtuar nga Thomas Tuchel, në prag të Kupës së Botës të vitit të ardhshëm.

Mesfushori me 84 paraqitje me fanellën e “Tre Luanëve” do të zëvendësojë kapitenin e mëparshëm të Brentford, Christian Norgaard, i cili është transferuar tek Arsenali.

Finalizimi i marrëveshjes pritet të konfirmohet gjatë ditëve në vijim. Kjo lëvizje do ta rikthejë Hendersonin në Premier League, pasi ai u largua nga Liverpooli në vitin 2023 për t’u bashkuar me Al-Ettifaq në Arabinë Saudite. Megjithatë, qëndrimi i tij atje zgjati më pak se gjashtë muaj, para se të transferohej tek Ajax në janar 2024. Ai zhvilloi mbi 50 ndeshje me klubin holandez, por u largua pas një sezoni ku Ajaxi e humbi titullin në ditën e fundit, me PSV Eindhoven që u shpall kampion.