Një 57-vjeçari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i është bërë një transplant zemre, me organin e ri që është marrë nga një derr i modifikuar gjenetikisht, një procedurë që zhvillohet për herë të parë dhe që i jep shpresë qindra mijëra personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Operacioni i parë i këtij lloji zgjati 8 orë dhe doktorët amerikanë thonë se David Bennett Sr. ndihet shumë mirë.
“Zemra po punon normalisht. Jemi shumë të emocionuar, por ende nuk e dimë se çfarë do të na rezervojnë ditët në vazhdim, pasi bëhet fjalë për një transplant që nuk është bërë kurrë më parë”, tha Dr. Bartley Griffith, drejtori i programit të transplantit të zemrës në qendrën mjekësore ku u zhvillua operacioni, transmeton a2cnn.
Vitin e kaluar, në SHBA iu nënshtruan transplantit të organeve 41 354 persona, shumica e të cilëve bënë transplant veshkën. Por, ka mungesë organesh dhe për këtë arsye, 12 amerikanë vdesin çdo ditë pasi nuk gjehet organ për ta.
Shkencëtarët po punojnë intensivisht për të krijuar derra, organet e të cilëve pranohen nga trupi i njeriut, në mënyrë që njerëzit të mos vuajnë më mungesën e organeve.