Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme e Kosovës nuk dëshirojnë të deklarohen rreth iniciativës së re për anëtarësim në INTERPOL.
Ndërsa ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se institucionet e vendit nuk duhet në asnjë mënyrë të tentojnë të hyjnë në këtë organizatë pa bërë fillimisht një analizë të detajuar mbi dështimin e vitit të kaluar.
Pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it, institucionet e Kosovës ia kanë mësyrë sërish organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, me ç’rast në fillim të këtij viti kanë dorëzuar aplikacionin për anëtarësim.
Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe ajo e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë vendosur të heshtin pas këtij hapi.
Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zyrtarë të të dyja dikastereve nuk kanë pranuar të japin kurrfarë detajesh lidhur me aplikimin që është bërë, as të tregojnë se çfarë strategjie do të ndiqet këtë herë, në mënyrë që Kosova t’ia dalë përfundimisht të bëhet pjesë e INTERPOL-it.