Grupi “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” ka hedhur sot ngjyra në lokalet tek parkingu i ri nëntokësor në Prishtinë.
Kjo për arsyen se siç thotë ky grup, kjo hapësirë publike e UP-së është uzurpuar nga bizneset private, shkruan lajmi.net.
“Aty ku sot janë bizneset private dhe një parking, dikur ishte një park publik. Tash këtu ka beton e uzurpim. Këto biznese që po i shohim mbrapa nesh janë këtu përkundër vullnetit tonë e në dëmin tonë. Tri vite më parë, Komuna e Prishtinës kishte filluar gërryerjen e hapësirës, për të nisur kështu një proces të privatizimit, frytet e së cilës po i shohim sot”, thuhet në komunikatën e këtij grupi.
“Uzurpimi i parkut të UP-së përveç që shënon një ndërhyrje të egër në hapësirën publike, tregon edhe një ndërhyrje tjetër për ta varfëruar edhe më tej xhepin e studentëve. Ne veç se jemi në dijeni që studentët janë ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, me pak mbështetje shtetërore, me kushte të dobëta financiare e trajtim të padinjitetshëm. E privatizimi i mëtejmë i çdo shërbimi, duke përfshirë këtu edhe ushqimin, veç sa do ta varfërojë edhe më tej studenten e studentin. Ne duam që ushqimi dhe sherbimet tjera brenda kampusit të na sigurohen si shërbime publik në kuadër të UP-së e jo të përdoremi si mjet për rritje të të hyrave të bizneseve”, shtohet tutje në komunikatë.