Fjalë Kyçe

Hidhet poshtë aktakuza ndaj Allajbeut, Llukës dhe të tjerëve Gjykata Themelore

Hidhet poshtë aktakuza ndaj Allajbeut, Llukës dhe të tjerëve Gjykata Themelore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, si dhe tre personave juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe “Qendra Kardiale e Kosovës”, lidhur me akuzën për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve.

Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiale të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i “American Hospital Kosova” me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, akuzoheshin se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkoheshin se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga ATK-ja dhe Prokuroria Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Gjykatës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” ka arritur afati i parashkrimit, kurse për “Shpëlarje të parave” nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën në fjalë dhe andaj ka hedhur aktakuzën e PSRK-së dhe është pushuar procedura penale.

Ekrem Lluka bashkë me djalin e tij, Korab Lluka, si pronarë të “Qendrës Kardiake të Kosovës”, Klodian Allajbeu pronar dhe Igli Larashi drejtor në “American Hospital Kosova”, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, në seancën fillestare në mars ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për shpëlarje parash.

Në aktakuzën, që tashmë është hedhur poshtë, ishte thënë se të pandehurit kanë bërë 3 milionë e 482 mijë euro qarkullim fiktiv mes vete, gjë që, sipas Prokurorisë, ka buruar nga vepra penale dhe falsifikimi. Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, sipas PSRK-së, është mundësuar transferimi dhe qarkullimi i parave nga një llogari te tjetra, me ç’rast një pjesë të parave ata e mbanin në posedim e që tërhiqej në emër të dividendit, të cilën ata e kanë përdorur për blerje patundshmërish, për të huazuar para dhe për të realizuar pagesa në mënyrë që të maskohej origjina kriminale e parave.