Kompania regjionale e ujësjellësit “Hidrodrini” ka nisur furnizimin me ujë të pijshëm në Deçan dhe në disa fshatra, pasi analizat e mostrave të ujit, të cilat janë bërë nga IKSHPK-ja, flasin se uji në zonat ku është dyshuar për helmim është brenda normave, duke rezultuar në kufij të lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuar nga bashkësia evropiane.
Nga “Hidrodrini” thonë se ky fakt “sa e qetëson gjendjen dhe e vë në pah të vërtetën, po aq edhe duhet ta rrisë përkushtimin dhe vëmendjen e autoriteteve respektive, të qytetarëve, të mediave dhe të shoqërisë se çka tjetër mund të ketë ndikuar në shëndetin qytetar”.
Kompania thotë se pas takimit të sotëm të Shtabit Emergjent Komunal të Deçanit është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë, ndërsa deri në një vendim të ardhshëm është bërë apel që uji të mos përdoret për pije.
“Përkundër këtij vendimi të përbashkët të Shtabit Emergjent, KRU ‘Hidrodrini’ rekomandon që uji sërish të mos përdoret për pije, por vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, deri në një vendim të ardhshëm”, thuhet në njoftim.
KRU “Hidrodrini” më tej ka siguruar qytetarët se është në mbikëqyrje të vazhdueshme të gjendjes dhe në koordinim të vazhdueshëm profesional me IKSHPK-në.