Fjalë Kyçe

Hill: Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, është në interes të saj

Hill: Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, është në interes të saj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet nismës së “Ballkanit të Hapur”. Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në nismën e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të ishte pozitive për njohjen ndërkombëtare.

“Ata duhet të jenë pjesë e kësaj nisme. Ajo i ka dyert e hapura dhe do të ishte në interesin e vetë Kosovës, sidomos për përpjekjet e saj për të qenë e njohur ndërkombëtarisht, për të pasur më shumë vende që e njohin, por edhe për të parë progresin që ajo ka bërë. Mendoj se kjo është një nismë ku Kosova duhet të bëjë pjesë patjetër, pasi ajo nuk do të ndalet pa Kosovën që vazhdon të ecë përpara”, ka thënë ai në një deklaratë për “EuroNews Albania” të premten në mbrëmje.

Sipas Hillit, “Ballkani i Hapur” është një nga nismat më të mira që po ndodh në rajon.

Hill ka komentuar edhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftimet. Ai ka thënë se megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Mendoj se është diçka, por ka ende shumë punë për të bërë. Janë shumë çështje thelbësore që kërkojnë zgjidhje. Njëra prej tyre është ajo e serbëve të Kosovës. Ata duhet të besojnë se janë të mirëpritur dhe se do të ndihen mirë në Kosovë. Por ka edhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Hilli.

Në dy ditët e shkuara u mbajt aktiviteti i parë ekonomik në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Në hapje të Panairit të Verës të organizuar në Beograd, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë të gjitha shtetet e rajonit njësoj përgjegjëse për luftërat e deritashme në Ballkan. Ai bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u treguan kritikë për vendet që nuk janë përfshirë në nismë. Kosova ka refuzuar të përfshihet në këtë nismë e pjesë e saj zyrtarisht nuk janë as Bosnjë-Hercegovina dhe as Mali i Zi.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e Minishengenit ballkanik, prezantuar në Novi-Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.