Ky plan ilustron ambiciet e vazhdueshme të familjes Trump për të lidhur marrëveshje të reja ndërkombëtare biznesore edhe pas kthimit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Më shumë se një dekadë që kur Donald J. Trump për herë të parë dha idenë e ndërtimit të një hoteli në një pronë të Qeverisë në Serbi, tani familja e tij është afër arritjes së ëndrrës në një marrëveshje të komplikuar që përfshinë agjentë të pronave të patundshme nga Abu Dhabi dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e Trumpit, ka raportuar “The New York Times”.
Ky plan ilustron ambiciet e vazhdueshme të familjes Trump për të lidhur marrëveshje të reja ndërkombëtare edhe pas kthimit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Po ashtu, reflekton më pak vëmendje, krahasuar me atë të mandatit të tij të parë, në shmangien e dukjes se ka konflikte interesi lidhur me projektet jashtë vendit.
Një hotel luksoz i markës Trump do të ngrihet në pronën e ish-Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd, e cila ishte bombarduar nga NATO në vitin 1999 dhe qe braktisur që atëherë. Është një ide që Trumpi fillimisht e pati propozuar në vitin 2013, dhe një nismë që Kushner filloi ta ndjekë pasi e la punën si këshilltar në mandatin e parë të Trumpit.
Kushner ka formuar partneritet me Mohamed Alabbarin, zhvilluesi i hotelit Burj Khalifa në Dubai, ndërtesa më e lartë në botë. Ata planifikojnë ta ndërtojnë hotelin e ri në Beograd me leje nga Qeveria e Serbisë, e cila do të përfitojë nga fitimet, në bazë të draftit të marrëveshjes.
Ky do të ishte projekti i parë i madh i patundshmërisë në mes Organizatës Trump dhe familjes Kushner. Edhe pse të dyja kanë qenë për kohë të gjatë në biznes në New York, më herët ata kanë ndjekur projekte ndaras.
Marrëveshja për hotelin në Serbi është njëra nga projektet e reja të prezantuara nga marka Trump, me projekte të tjera të zbuluara në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Vietnam.
“Serbia është një nga vendet me rritjen më të madhe në Evropë dhe ne jemi jashtëzakonisht të nderuar të jemi aty”, ka deklaruar gjatë një interviste Eric Trump, djali i presidentit, të premten kur konfirmoi marrëveshjen e re, duke shtuar se “do të jetë argëtuese të mbledhim familjen së bashku”.
Marrëveshja me Serbinë ka ardhur teksa shteti po kërkon mbështetje nga Shtetet e Bashkuara për rrugën e stërzgjatur për të hyrë në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë Serbinë të forcojë marrëdhëniet me Evropën dhe Perëndimin në përgjithësi, si kundërshtim ndaj Rusisë, me të cilën ka pasur lidhje të gjatë ekonomike.
Në maj, Serbia ka miratuar planin për dhënien me qira të pronës së ish-Ministrisë së Mbrojtjes një kompanie të lidhur me Kushnerin për të ndërtuar hotelin me 175 dhoma, hapësirë tregtare dhe më shumë se 1,500 njësi banimi në tri kulla. Plani i miratuar përfshin lejen prej 99-vjetësh dhe një kompleks memorial për të lënduarit ose të vrarit gjatë bombardimeve të NATO-s.
Familja Trump ka njoftuar për një plan të etikës që përfshin një dispozitë e cila parashikon se nuk do të formohen marrëveshje të reja me qeveritë e huaja, edhe pse po vazhdon me projekte të reja ndërkombëtare.
Eric Trump ka deklaruar të premten gjatë intervistës se projekti nuk e ka shkelur atë dispozitë, sepse hoteli Trump do të jetë në kontratë me kompaninë zhvilluese që do të ndërtojë hotelin dhe jo me Qeverinë serbe, e cila është pronare e tokës. Por, propozimi ka sjellë kritika të menjëhershme nga juristët që merren me çështje të standardeve të etikës, të cilët e quajtën shembull tjetër të mungesës së përmbajtjes nga familja Trump në fillim të mandatit të dytë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Javën e kaluar, familja filloi një sipërmarrje në kriptovaluta, pavarësisht se Trumpi emëroi kryetarin e ri të përkohshëm të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Tregtisë, i cili mbikëqyr kriptovalutat.
“Familja e Trumpit po vendos kaq pak kufizime në biznesin e tij privat, sa krijon mundësi për qeveritë e huaja të pasurojnë presidentin me shpresën që të marrin favore”, ka deklaruar Deepak Guta, avokat në Washington. “Në këtë rast, duket se ata janë duke shkelur limitet që i kanë vendosur vetë për marrëveshjet me bizneset e huaja”.
Gupta ka punuar në dy nga paditë e ngritura gjatë mandatit të parë të Trumpit, të cilat pretendonin se ai po shkelte atë që njihet si klauzola e pagesave me Kushtetutë, e cila ndalon pagesat e qeverive të huaja ndaj zyrtarëve të SHBA-së.
Në një deklaratë për New York Times të premten, Kushner ka deklaruar se “hulumtimi ynë ka vënë në pah se marka Trump do të ishte më e mira për këtë treg”.
Kushner bashkë me partnerët shpresuan të ndërtojnë një projekt bashkë me ish-“Hotelin Ndërkombëtar Trump” në Washington, i cili ka operuar jashtë zyrës së Postës së vjetër derisa familja Trump e shiti në 2022-tën.
Projekti i ri do të zhvillohet në partneritet në mes firmë së kapitalit privat të Kushnerit, “Affinity Partners” dhe Asher Abehsera, zhvillues i patundshmërive i cili ka punuar me Kushnerin në Brooklyn.
Partneri tjetër në projektin në Serbi është “Eagle Hills”, kompania e udhëhequr nga Alabbar, i cili po ndërton një hotel 4 miliardë dollarësh dhe projekt banimi në ujërat e Beogradit.
“Ky zhvillim shënon përkushtimin tonë për të ngritur statusin e Beogradit si një qytet parësor evropian”, ka deklaruar Alabbar.
Pjesa më e madhe e kapitalit të Kushner vjen nga fondet sovrane të naftës, nga Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Katari, shtete që deri tani kanë kontribuar me rreth 4.6 miliardë dollarë në fondin e Kushnerit që kur e ka lënë Shtëpinë e Bardhë në fund të mandatit të parë të administratës Trump.
Për presidentin Trump, marrëveshja në Serbi është përfundim i një plani të nisur në vitin 2013, dy vjet para se fillonte garën për president. Atëherë Trumpi i kishte thënë një zyrtari të lartë të qeverisë serbe, se ai donte të ndërtonte një hotel luksoz në pronën e ministrisë.
Përfaqësues të organizatës Trump patën udhëtuar për në Beograd në atë kohë për të inspektuar vendin. Projekti nuk u finalizua para zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016. Por ishte rishikuar vitin e kaluar nga Kushner dhe Richard Grenell, i cili shërbeu si i dërguar special i Trumpit në Ballkan gjatë administratës së parë të tij dhe më së voni ka qenë partner biznesi i Kushnerit.
Grenelli i cili ndihmoi në negocimin e marrëveshjes, kohët e fundit është emëruar si i dërguar për Misione të Posaçme në administratën e re të Trumpit.
“Ky projekt është i mundur falë rritjes dhe gjallërisë së Beogradit”, ka deklaruar Kushner të premten, pa e thënë se në fakt ideja në fillim ka qenë e babait të bashkëshortes së tij.