Fjalë Kyçe

Hoti ironizon me Qeverinë lidhur me vendimin për uljen e akcizës në duhan

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se me vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës për të ulur akzicën në duhan, kjo e fundit praktikisht po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan së është më pak i dëmshëm, shkruan Gazeta Alo.

Sipas Hotit, qëllimi i kësaj nuk është mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit, por për dekurajimin e konsumimit të mallrave që dëmtojnë shëndetin.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoti ka shkruar se po të ishte qëllimi për të mbështetur prodhimin vendor, atëherë do të duhej të subvencionoheshin bujqit që prodhojnë duhanin,

Postimi i plotë:

POLITIKAT ZHVILLIMORE TË QEVERISË SË PAN-it: KONSUMONI DUHAN VENDOR SE ËSHTË MË PAK I DËMSHËM!!!

Kjo qeveri ka deficitit të njohurive bazike për zhvillimin e ekonomisë. Kur kjo kombinohet me motivin e mbrapshtë për të përdorur pozitën publike për nevoja personale, atëherë pasojat janë fatale për pjesën më të madhe të shoqërisë.

Qeveria e PAN-it e ka marrë edhe një “vendim të madh”, duke ulur akcizën në duhanin që prodhohet në Kosovë në vetëm 30% të çmimit të tregut, me arsyetim për të mbështetur prodhuesit vendor. Siç është raportuar në medie, në Kosovë ekziston vetëm një kompani prodhuese e duhanit, që është në bashkëpronësi të këshilltarit të Kryeministrit dhe një drejtori komunal nga partia e z.Ahmeti.

Për sqarim, qëllimi primar i akcizës nuk është mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit, por dekurajimi i konsumit të mallrave që dëmtojnë shëndetin. Prandaj, Qeveria Mustafa dy herë radhazi e ka rritur akcizën në duhan për të dekurajuar konsumin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, si dhe për të barazuar akcizën në Kosovë me vendet e rajonit.

Me këtë vendim, Qeveria e PAN-it praktikisht po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm.

Po të ishte qëllimi për të mbështetur prodhimin vendor, atëherë do të duhej të subvencionoheshin bujqit që prodhojnë duhanin. Bujqit do të rrisnin kultivimin e duhanit, duke ju mundësuar përpunuesve të duhanit të siguronin më lirë lëndën e parë dhe të dilnin në treg me çmime më të lira për duhanin e përpunuar./Gazeta Alo/