Fjalë Kyçe

Hoti: Kam folur me Rakiqin, simbolet e Kosovës nuk janë larguar, mund të verifikohet lehtë

Hoti: Kam folur me Rakiqin, simbolet e Kosovës nuk janë larguar, mund të verifikohet lehtë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK’së, Mergim Lushtaku, rreth asaj nëse zv.kryeministri Goran Rakiq ka larguar flamurin e Republikës së Kosovës nga zyra e tij.

Hoti ka thënë se për një çështje të tillë ka diskutuar me Goran Rakiqin dhe se simbolet e Republikës së Kosovës nuk kanë lëvizur.

Ai  ka thënë se nuk e di nëse Goran Rakiq ka ndërruar pozicionin e tij kur është fotografuar.

Kreu i Qeverisë ka ftuar deputetin Lushtaku që të verifikojë një gjë të tillë edhe vet.

“Mund ta verifikoni vetë. Keni çasje në të gjitha zyrat. Unë kam kontaktuar vetë me zv.kryeministrin. Simbolet e Kosovës në zyrën e tij, janë aty ku kanë qenë dhe do të mbesin aty. Nuk e di nëse e ka ndërruar pozitën kur është fotografuar”, ka thënë Hoti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se simbolet e shtetit janë të pacënueshme.

“Simbolet e shtetit janë të pacenueshme. Asnjë ministër nuk ka me pas hapësirë për t’i lëvizë ato. Simbolet e shtetit të Kosovës në atë zyrë janë ashtu siç kanë qenë, ju mund t’i verifikoni ato”, ka potencuar kryeministri.

Ndërkohë Lushtaku ka përsëritur kërkesën e tij për ta shkarkuar Goran Rakiqin.