Fjalë Kyçe

Hoti me kritika ndaj Qeverisë: Nuk po e rishikoni buxhetin – po e dëmtoni ekonominë

Hoti me kritika ndaj Qeverisë: Nuk po e rishikoni buxhetin – po e dëmtoni ekonominë

Avdullah Hoti, ish-ministër i Financave e ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit për mos rishikimin e buxhetit.

Beson se mosrishikimi i buxhetit “do të ndikojë negativisht në shpenzimet kapitale dhe rrjedhimisht në ekonomi, punësim e të ardhura”.

“Mazhoranca qeverisëse e prezantoi si arritje numrin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Por nuk e përmendi faktin se njëri ndër ligjet më të rëndësishme, që është rishikimi i buxhetit për 2022, nuk është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria”, ka shkruar Hoti në Facebook, të martën.

Ish-kryeministri i Kosovës që tash është deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shtuar se kurrë në histori nuk ka pasur më pak investime kapitale sesa tash.

“Shpenzimet kapitale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 11% realizim. Prandaj, ka qenë e domosdoshme të rishikohet buxheti për ta rishpërndarë në projekte që mund të realizohen”, ka thënë ai.

E këto politika qeveritare sipas tij janë të gabueshme – duke pretenduar se do të ndikojnë negativisht në ekonomi, shkak i qarkullimit të ulët të kapitlait.

“Me këtë dinamikë shumë të ulët të realizimit të buxhetit në gjashtë muajt e parë, dhe në mungesë të rishikimit të buxhetit, është e sigurt se zbatimi i projekteve kapitale sivjet do të jetë shumë i ulët”, ka thënë Hoti. “Kjo do të nënkuptojë qindra miliona mungesë në qarkullimin ekonomik në vend, që do të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, punësimin dhe të ardhurat e përgjithshme”.

Hoti ka publikuar edhe listën e disa prej projekteve për të cilat thotëse janë në realizim shumë të ulët.