Fjalë Kyçe

Hoti merr ftesën për takim në Bruksel, përgjigjen do ta japë “shumë shpejt”

Hoti merr ftesën për takim në Bruksel, përgjigjen do ta japë “shumë shpejt”

Kryeministri Avdullah Hoti do t’i përgjigjet “shumë shpejt” ftesës së Bashkimit Evropian për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Hoti e ka konfirmuar për KOHËN se ftesat kanë ardhur, por se ende nuk është vendosur sa i përket pjesëmarrjes në takim.

“Ftesa ka ardhur… për përgjigje do të njoftoheni shumë shpejt”, ka thënë ai, i pyetur se cila do të jetë përgjigja e Hotit.

Burime në Bruksel kishin bërë të ditur paraprakisht se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u ka dërguar ftesa palëve që së pari të ketë takim të dielën e të hënën, e takimi Hoti-Vuçiq të zhvillohet të martën, takim që ende nuk është konfirmuar.

Kjo pasi që pala serbe është duke insistuar që pjesë e diskutimeve të bëhet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë e cila është refuzuar nga pala kosovare.

Hoti në një konferencë për medie të mbajtur paraditen e së enjtes ka thënë se data e takimit do të merret vesh ditëve në vijim.