Fjalë Kyçe

Hoti njofton QUINT-in për marrëveshjen e Uashingtonit

Hoti njofton QUINT-in për marrëveshjen e Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të premten se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë “duhet të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese” dhe “njohje reciproke ndërmjet dy vendeve”.

Hoti i bëri komentet në një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) dhe me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Hoti, i shoqëruar edhe nga koordinatori shtetëror për dialog me Serbinë, Skënder Hyseni, i njoftoi zyrtarët ndërkombëtarë edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, e cila është nënshkuar në Uashington, më 4 shtator.

Hoti “e cilësoi atë si një marrëveshje historike dhe me rezultate konkrete”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga zyra e tij.

Marrëveshja në Uashinton është nënshkuar midis Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.

Ajo, mes tjerash, parasheh një varg projektesh rrugore dhe hekurudhore që lidhin Kosovën dhe Serbinë, si dhe njohjen e ndërsjellë Kosovë-Izrael.

Kosova dhe Serbia janë duke negociuar për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Dialogu është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga SHBA-ja.

Muajve të fundit, Uashingtoni e ka intensifikuar përfshirjen në proces.

Hoti, në disa raste, ka thënë se dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke.