Katër ditë para se të shkojë në Washington, kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por, përveç raportimit për vizitën që do të ketë në Shtëpinë e Bardhë, Hoti këtë të martë është i ftuar për të raportuar edhe për heqjen e reciprocitetit.
E këto dy çështje nuk janë të vetmet për të cilat do të diskutojnë deputetët e legjislaturës së shtatë. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, zgjedhja e kandidatëve për komision e borde e zëvendësimi i deputetëve, janë vetëm disa prej tyre.
Mbajtja e disa seancave brenda ditës, si dhe shqyrtimi i disa çështjeve brenda një seance, janë duke u kritikuar nga shoqëria civile. Allen Meta nga organizata Demokraci për Zhvillim është skeptik në efikasitetin që mund të kenë seancat në këtë formë.
Në anën tjetër, monitoruesit e Kuvendit thonë se Kryesia e Kuvendit duhet të ketë kujdes që të mos i përsërisë gabimet e legjislaturës së kaluar, për seancat e ngarkuara e dështimin e tyre, raporton KOHA.
“Seancat që janë paraparë të mbahen të martën kanë në agjendë çështje që kërkojnë trajtim urgjent, në njërën anë ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në anën tjetër është raportimi i kryeministrit Hoti për rifillimin e dialogut dhe takimin e 27 qershorit në Uashington. Duke qenë se këto ditë po mbahen edhe punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që këtë vit e kryeson Kuvendi i Kosovës, ky aktivitet e ka ngarkuar edhe më shumë agjendën e Kuvendit pasi që të mërkurën edhe mbahet sesioni i 7-të plenar i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së”, ka thënë Agnesa Haxhiu, hulumtuese në KDI.
“Për pesë marrëveshjet ndërkombëtare, caktimi i seancës për të martën lidhet me përmbushjen e afateve procedurale që i parasheh Rregullorja e punës, që ishte edhe arsyeja se pse nuk u shqyrtuan në seancën e kaluar, meqë kërkohej shmangie, e këtë nuk e mbështetën partitë opozitare. Ndërkaq, sa i takon raportimit të kryeministrit Hoti, edhe interpelanca për çështjen e reciprocitetit, edhe raportimi për takimin e 27 qershorit janë vendosur në agjendën e seancës të së martës. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse kryeministri deri atëherë kërkon zyrtarisht nga Kuvendi caktimin e një date tjetër për të raportuar dhe kërkesa e tij mandej shqyrtohet nga Kryesia dhe vendoset për një seancë tjetër”, ka thënë tutje ajo.
Seanca në të cilën pritet të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare është planifikuar të fillojë në orën 10:00.
Derisa ajo e rregullta, në të cilën mund të futet edhe interpelanca për reciprocitetin, por edhe raportimi i Hotit për vizitën në Washington, pritet të fillojë një orë më pas.