Fjalë Kyçe

“Hoti si gratë e këqija”, Mimoza Kusari sqarohet dhe kërkon falje

“Hoti si gratë e këqija”, Mimoza Kusari sqarohet dhe kërkon falje

Deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar falje për shprehjen “si gratë e këqija” që kishte përdorur ndaj Kryeministrit Avdullah Hoti, në emisionin “DPT te Fidani”.

Kusari-Lila ka shkruar në Facebook se ka gabuar që ka përdorur këtë shprehje dhe kërkon falje.

“Ditë më pare u bë lajm në një nga mediumet Kosovare shprehja ime e përdorur gjatë emisionit “DPT te Fidani” lidhur me sjelljen e Avdullah Hotit kur lëshon fjalë anash dhe del nga salla për të mos dëgjuar kritikat ndaj tij. Unë këtë sjellje e karakterizova me shprehjen pezhorative “Gra të kqija”, shprehje kjo e mbetur fatkeqësisht pjesë e fjalorit tim si skelet i një mentaliteti që paragjykon dhe atribuon ligësinë dhe fjalët anash vetëm grave. Unë mbetem e bindur se sjellja e Avdullah Hotit i cili ofendon deputetët pa mikrofon dhe lëshon fjalë anash është sjellje e ligë dhe as për së afërmi nuk i shkon një posti që ai pretendoi ta mbajë. Se që kam gabuar që e kam përdor pa vetëdije dhe pa qëllim për të rënduar gratë e pranoj dhe kërkoj falje”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila kishte thënë në “DPT te Fidani” se Kryeministri Hoti ka lëshuar në Kuvend fjalë “si gratë e këqija”.

“Ne e patëm rastin në të cilin për gjashtë muaj kanë qenë njerëz të cilët nuk e kanë idenë si është qeverisja, e para, e dita jo që nuk dinë, por kanë problem bazike me e kuptu funksionimin e shtetit. Unë po them të drejtën, ne edhe pse u shndërruam në rivalë politikë me LDK-në dhe vetë zotin Hoti, në fakt jam e befasume me paaftësinë e tij për me ofru çfarëdo ideje për dalje nga kriza ekonomike, çfarëdo vullneti për bashkëpunim, me tregu atë nivel të arrogancës e me u fshehë nën petkun e njeriut të urtë dhe të sjellshëm, me ardhë në Kuvend me lëshu fjalë si gratë e këqija edhe me dalë mos me i duru kritikat e opozitës”, ka thënë Kusari-Lila.