Fjalë Kyçe

Hoti paralajmëron masa të reja për festat e fundvitit

Hoti paralajmëron masa të reja për festat e fundvitit

Situata me COVID-19 është e rëndë, ka vlerësuar kryeministri Avdullah Hoti në një postim që e ka bërë të dielën në Facebook për gjendjen me koronavirus në vend. Edhe pse ka thënë se së fundmi ka pasur rënie të rasteve aktive, Hoti ka vlerësuar se qeveria është e detyruar t’i mbajë masat anti-COVID në fuqi.

“Në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%. Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.

Duke folur për vendimin që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor të përfundojë më herët, Hoti ka thënë se pret që deri kur ato të hapen, më 18 janar 2021, spitalet të jenë më pak të ngarkuara.

“Ne duhet të ruajmë sistemin tonë shëndetësorë. Po bëjmë përpjekje maksimale të përballojmë fluksin e pacientëve të prekur nga COVID. Prandaj, me rekomandim të IKSHP-së dhe organizatave relevante ndërkombëtare, duhet të mbajmë masat dhe të forcojmë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Duhet të evitojmë takimet shpërndarëse të virusit, siç janë tubimet publike, ceremonitë e ndryshme etj. Në veçanti duhet respektuar masat elementare: distanca fizike, maska dhe pastërtia e duarve dhe mos përshëndetja me duar”, ka vazhduar ai.

Hoti ka thënë po ashtu se po punohet në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. Ai ka thënë se Kosova pret që të sigurojë vaksinë për 20 për qind të popullsisë, në kuadër të koalicionit COVAX. Sipas tij, po punohet në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna.

Sa i përket gjendjes në spitale, Hoti ka pranuar se “ka probleme teknike me shtretër të mjaftueshëm dhe adekuat, apo me furnizim të plotë me barna, ose vështirësi në furnizim me oksigjen”. Megjithatë, sipas tij, janë të pavend dhe të papranueshme kritikat ndaj stafit shëndetësor në gjithë vendin.

Për parashikimet dhe prioritetet në javët në vijim, Hoti ka thënë se situata do të monitorohet bashkë me zbatimin e masave, teksa ka paralajmëruar se po përgatitin edhe skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit.