Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të publikuar të shtunën në mbrëmje në platformën “X”.
Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë. Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar për konfiskimin e dinarëve serbë dhe një veture që po bartte mjetet për t’i shpërndarë pagesat nga Serbia.
“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, ka shtuar Hovenier duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për shqetësimet e të gjithë qytetarëve.
Ai ka thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihen në dialog.