Fjalë Kyçe

Hovenier demanton Qeverinë: Çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin SHBA – Kosovë

Hovenier demanton Qeverinë: Çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin SHBA – Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë të qartë se situata me dinarin ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën, duke demantuar eksponentë të Qeverisë të cilët e kanë thënë të kundërtën.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Kjo ka nxitur reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia. Ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-ja, i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë vendimin për një periudhë tranzicioni, për të informuar më mirë qytetarët. Por nga Qeveria nuk kanë dhënë shenja do të heqin dorë – megjithëse BQK-ja ka njoftuar se do të ketë afat tre muaj për “edukim dhe informim” të komuniteteve. Ministri i Financave, Hekuran Murati, të mërkurën ka thënë se raportimet për prishje të marrëdhënieve me SHBA-në janë “propagandë e Beogradit”.

Por në një deklarim për media të enjten, Hovenier ka thënë se SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e BQK-së.

“Një nga zyrtarët më të lartë amerikan, James O’Brien e bëri të qartë dhe mesazhi im është i qartë – SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Shqetësimet i kemi thënë në publik dhe privat”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se nuk i sfidojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, por kanë kërkuar që Rregullorja e re e BQK-së të shtyhet.

“Nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, nuk sfidojmë institucionet e Kosovës që të ulin rrezikun e pastrimit të parave apo financimin e grupeve terroriste, nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës apo BQK-në, por ne vazhdimisht po kërkojmë që të shtyhet zbatimi i Rregullores për një periudhë tranzicioni”, ka shtuar ai.

Hovenier ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet në dialog dhe pret që Kosova e Serbia të jenë konstruktive në zgjidhjen e saj.

“Dhe gjatë kësaj periudhe duhet lejuar që Serbia t’i paguajë serbët, përfshirë pensionet, punonjësit e sistemi shëndetësor e të tjera. Nuk kam parë përpjekje që kjo të bëhet e mundur”, ka deklaruar Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan ka thënë se ndihmës-sekretari i Shtetit, James O’Brien, shprehu keqardhje që Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kësaj kërkese të SHBA-së.

“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, ka deklaruar Hovenier.

Hovenier u shpreh se është e rrallë të dëgjohet në Këshill të Sigurimit të OKB-së të thuhen gjëra kritike për Kosovën.

“Është e rrallë që në Këshill të Sigurimit përfaqësuesi amerikan të thotë gjëra kritike për Qeverinë e Kosovës. Ambasadorja Linda-Thomas Greenfield e bëri këtë. Është e rrallë që ndihmës-sekretari për Evropë, James O’Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”.

Hovenier ka thënë se përkushtimi i SHBA-së për qytetarët e Kosovës është më i fortë se kurrë. Ai ka thënë se po pret ta festojnë së bashku të shtunën Ditën e Pavarësisë, porse është e vështirë situata.

“Qeveria nuk duket se po punon në partneritet. Duam të evitojmë këtë”, ka thënë Hovenier.

Ai ka thënë se nuk është kërkesë vetëm e SHBA-së për të pezulluar “vendimin për dinarin”, por edhe e gjithë shteteve nga të cilat varet Kosova për të avancuar në rrugën drejt BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës.

“Gjitha kanë shprehur qartë shqetësimin, duket jo e mençur që Qeveria nuk po reagon”, ka thënë Hovenier.