Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka këshilluar emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, që të mos negociojë zotime të reja mes Kosovës dhe Serbisë, por të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
Në një diskutim në “Atlantic Council”, Hovenier theksoi se Kosova ka bërë një zotim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që nga viti 2013, dhe ai zotim vazhdon të mbetet në fuqi. Ai nënvizoi se kjo çështje është ripërsëritur edhe në Marrëveshjen Bazike të vitit 2023 dhe në Aneksin e saj të Zbatimit.
“Mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon zbatimi”, u shpreh Hovenier, duke shtuar se kjo është këshilla që do t’i jepte Sorensenit dhe BE-së rreth dialogut.
Ai kritikoi si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, për mungesën e seriozitetit në përmbushjen e detyrimeve të tyre, duke theksuar se të dyja palët do të përfitonin nga zbatimi i plotë i marrëveshjeve.
Hovenieri ka theksuar se një nga pikat e ngecjes në raportin Kosovë – Serbi ka qenë implementimi i mbrojtjes kushtetuese për komunitetet pakicë, veçanërisht atij serb, si dhe mënyra se si Serbia mund të ushtrojë të drejtën e saj për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës.