Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, tha se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë.
Diplomati amerikan theksoi se nuk është sekret se Qeveria e SHBA-së ka disa shqetësime politike të cilat i ka bërë Qeveria Kurti.
ShBA-ja por edhe partnerët tjerë kanë shqetësime lidhur me disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti dhe se ato pamundësojnë arritje.
“Nganjëherë ndjej se të gjithë dëshironi të jeni psikiatër. Asgjë më e re se që e kam thënë. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë. Edhe kjo është arsyeja pse jam këtu dhe po takohem me përfaqësues të komuniteteve për të mundësuar se çka mund të bëjë qeveria më shumë. Kemi qenë me popullin e Kosovë, jemi me popullin e Kosovës dhe do të jemi me popullin e Kosovës”, ka deklaruar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier sot gjatë vizitës që i ka bërë Gjakovës.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Hovenier nga Gjakove ka folur për ligjet që janë miratuar së fundi nga Kuvendi i Kosovës, duke përfshirë edhe Ligjin për KPM-në dhe KPK-në, raporton RTKlive. Ai tha se qeveria amerikanë këshillon Kosovën që ligjet që miratohen nga Kuvendi i Kosovës të jenë në përputhje me normat evropiane.
“Unë kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë. Kuptoj që ka ndjenja të fuqishme nëse janë ligjet në përputhje me normat evropiane apo jo. Këshilla është që të sigurohen që çdo legjislacion që të jetë në përputhje me normat evropian, sepse ne natyrisht mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane”, ka deklaruar diplomati amerikan.