Fjalë Kyçe

Hovenieri insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së

Hovenieri insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kërkojnë shtyrjen e implementimit të Rregullores së BQK-së për dinarin.

Në një deklaratë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai ka thënë se SHBA-ja e respekton rolin e Bankës Qendrore në rregullimin e sektorit financiar.

Ka shtuar gjithashtu se mbështesin nismat për t’i parandaluar krimet financiare dhe shpëlarjen e parave, por ka shtuar se duhet të ketë shtyrje në implementimin e Rregullores së BQK-së.

Sipas tij, kjo rregullore ndikon në kualitetin e jetës së komunitetit serb duke shtuar se presin nga Qeveria të jenë partner i SHBA-së në këtë çështje. Ai ka potencuar se nëse Qeveria vendos ndryshe, do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit Kosovë-SHBA.

“Unë po e lë Qeverinë të rikonsederojë se si do të implementojë këtë Rregullore. Unë mund të them që kërkesë e SHBA-së është që kjo të shtyhet. Ka shumë punë për t’u bërë deri në implementimin e saj. Qeveria ka folur për një periudhë transicioni dhe ne shpresojmë që ky transicion t’i marrë parasysh shqetësimet për këtë çështje. Ne besojmë që Qeveria do të jetë partner i joni në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”, ka thënë ai.

Rregullorja e BQK-së parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.

Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.