Linda Hoxha, psikologe, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se familjet që kanë pasur tendencë për të pasur dhunë në familje gjatë pandemisë Covid-19 janë më të cenueshme.
Por, sipas Hoxhës, ajo çfarë duhet të fokusohemi është se njerëzit kanë ku me thirr.
“Jemi në një situatë shumë komplekse. Marrëdhëniet qoftë të prindërve e qoftë të fëmijëve, e gjendja ekonomike, ndikojnë në ngritjen e dhunës në familje, e më e shprehur është tek gratë dhe fëmijët. Është një fenomen që po i ndodh krejt botës. Po e dimë se ka me zgjat kjo periudhë derisa nuk kemi një vaksinë. Familjet që kanë pasur tendencë për të pasur dhunë, tani janë edhe më të cenueshme”, ka thënë Hoxha.
Ajo thotë se pozitive ka qenë mobilizimi i shpejtë i Ministrisë së Arsimit që të ketë mësim online, porse edhe ajo ka pasur anët negative.
“E kemi pasur një mobilizim të shpejtë të Ministrisë së Arsimit, dhe e kemi realizuar një hulumtim rreth të mësuarit në distancë. Për të folur për fëmijët duhet të flasim edhe për prindërit. Prindërit po ndihën në siklet e kërkesat ndaj tyre janë shtuar. Kjo ka krijuar një stres te prindërit edhe për efikasitetin e tyre në mësimin e fëmijëve. Njëra nga ato pozitive është se prindërit po ndihen mirë për shkak se po kanë kohë të qëndrojnë me fëmijët e tyre, porse fëmijët janë më në ankth pasi u mungon shoqëria e tyre. E ata e kanë shumë të vështirë se pse nuk munden me dalë jashtë. Te fëmijët funksionon shumë elementi i befasisë”, ka thënë Hoxha.