Fjalë Kyçe

Hoxhaj thotë se tani nuk ka nevojë për autostrada, buxheti do të orientohet ndihmë për sektorin privat

Hoxhaj thotë se tani nuk ka nevojë për autostrada, buxheti do të orientohet ndihmë për sektorin privat

Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka thënë se në Kosovë më s’ka nevojë për autostrada, duke shtuar se në programin ekonomik të PDK-së parashihet ristrukturim të buxhetit.

“Kemi paguar 250 milionë euro çdo vit për ndërtimin e autostradave. Buxheti duhet të ristrukturohet, të mos drejtohet vetëm drejt shpenzimeve të mëdha. Një pjesë e projekteve të mëdha janë në përfundim e sipër. S’do të ketë më autostrada. S’ka nevojë ky vend për autostrada të reja. Të gjitha që i kemi propozuar janë të bëshme. Sapo të miratohet qeveria duhet të miratohet buxheti i ri”, ka thënë ai.

Sipas tij, fokus kryesor do të ketë sektori privat. Ai e ka quajtur këtë sektor “bosht të rritjes ekonomike”.

Ka thënë se për këtë sektor PDK-ja ka paraparë një fond prej 500 milionë eurosh që do të ndahet përmes granteve.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja ka një hartë se si duhet të bëhet vaksinimi dhe se për këtë ai personalisht ka folur edhe me kryeministra të vendeve të tjera për mënyrat se si të bëhet vaksinimi.

“Çështja kryesore është vaksinimi i popullatës. Ne kemi hartë se si duhet të bëhet vaksinimi dhe ne kemi folur më dy tre kryeministra të vendeve të tjera se si mund të bëhet kjo”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, PDK-ja e di saktë se cilat çështje janë urgjente në Kosovë për shkak se kjo parti ende pa u shpallur zgjedhjet ka pasur takime të shumta me qytetarë në të gjithë Kosovën për të kuptuar nevojat e tyre.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja po forcohet për shkak të lidhjes së kësaj partie me UÇK-në dhe për shkak të dy qeverive të fundit që sipas tij u treguan të dobëta.

Hoxhaj thotë se Kurti u vetëdorëzua si kryeministër, ndërsa qeveria Hoti ishte e lodhtë.

“Dy qeveritë e fundit, qeveria Kurti që e mori pushtetin në vjeshtë 2019 që negocio për 5 muaj ta bëjë një koalicion të shpresës dhe sapo u shfaqën rastet e para të pandemisë, prodhoi një situatë të rrejshme, ku u vetëdorëzua. Kurti e shkarkoi Veliun që më shumë të heqë dorë prej pushtetit, t’i lë qytetarët në mëshirë të pandemisë. Ndërsa, qeveria Hoti ishte e lodhtë, e dobët, pa agjendë, pa mbështetje parlamentare”, tha ai në “Zgjedhjet në Kohë”.

Hoxhaj tha se si subjekt goditja i është dhënë me arrestimet e dy ish-liderëve të partisë nga Gjykata Speciale.

Enver Hoxhaj, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, ka thënë se kjo parti do të dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas tij, kjo bindje vjen për shkak se “PDK-ja s’ka pas përkrahje të tillë masive që nga viti 2007”.

“Fushata ka qenë jashtëzakonisht e mirë. S’kam pa asnjëherë përkrahje më të madhe për PDK-në se në këto zgjedhje. Mbaj mend fushatën e 2007-s kur PDK-ja kishte sallat e mbushura. Në të gjitha anët ka tubime të mëdha, masive që flet për përkrahjen e madhe që gëzon PDK-ja. Ne në këto zgjedhje jo që garojmë për vendin e parë, por PDK-ja do të jetë e para. Së pari, për mua si kandidat për kryeministër dhe njeri që udhëheq PDK-në dhe që është që gjashtë javë në terren, e që isha në fushatë prej 2004-s, asnjëherë s’kam pa përkrahje kaq të madhe”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.

Hoxhaj ka thënë se sondazhet që po e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje të parën janë “të manipuluara”. Sipas tij, ato bëhen përmes rrjeteve sociale e ku s’dihet kush nga cili kontinent voton