Fjalë Kyçe

“HRW” akuzon Izraelin për aparteid ndaj palestinezëve

“HRW” akuzon Izraelin për aparteid ndaj palestinezëve

Një nga grupet më të njohura të të drejtave të njeriut ka bërë të ditur të martën se Izraeli është fajtor për krimet ndërkombëtare të aparteidit dhe persekutimit, për shkak të ligjeve diskriminuese ndaj palestinezëve brenda kufijve dhe në territoret e pushtuara.

Organizata e të drejtave të njeriut me seli në New York “Human Rights Watch” u është bashkuar shumë grupeve që nuk e shohin konfliktin si çështje që ka të bëjë me territor, por si regjim në të cilin palestinezëve, që e përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së Izraelit, Bregut Perëndimor dhe Gazës, u mohohen sistematikisht të drejtat themelore që i kanë hebrenjtë.

Këto akuza janë mohuar menjëherë nga Izraeli, i cili ka pretenduar se pakica arabe gëzon të drejta të plota. Izraeli e trajton Gazën si një entitet armiqësor që udhëhiqet nga grupi militant islamik “Hamas”, ndërsa Bregun Perëndimor e sheh si temë të diskutueshme për negociatat paqësore.

Raporti i “Human Rights Watchit” është përqendruar në definimin e aparteidit dhe persekutimit, të përdorur nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, që kishte nisur hetime për krimet e mundshme të luftës nga Izraeli muajin e kaluar. Por Izraeli e ka hedhur poshtë gjykatën, duke e cilësuar atë si të njëanshme. \ AP