I frymëzuar nga një praktikë e ngjashme në Rusi, fermeri turk, Izzet Koçak u vendosi pajisje të realitetit virtual (VR) lopëve të tij, duke i transportuar ato në kullota virtuale me gjelbërim të përhershëm në një përpjekje për ta rritur prodhimin e qumështit. Kjo metodë, siç shkruan gazeta turke, Daily Sabah, funksionoi.
Fermeri, i cili ngriti një biznes bagëtish në vitin 2018 në Aksaray, po punon me ambiciozitet për ta rritur prodhimin e qumështit nga 180 bagëtitë e tij.
Fillimisht ai filloi duke lëshuar muzikë klasike për kafshët, diçka e përdorur nga disa mbarështues për të ofruar një atmosferë të qetë. Tani, ai po vendos pajisjet VR në dy nga lopët e tij.
“Ne po kërkojmë mënyra alternative për ta rritur prodhimin me rritjen e çmimeve të ushqimit, sanës. Dëgjova se po i përdorin këto pajisje në Rusi dhe vendosa t’i provoja këtu. I përdora për dhjetë ditë dhe kuptova se cilësia dhe sasia e qumështit u rritën”, tha ai të enjten për Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar se është në dijeni të studimeve për faktorët mjedisorë që ndikojnë në prodhimin e qumështit, Koçak shpjegoi: “Ne zakonisht prodhojmë 22 litra qumësht në ditë. Sasia mesatare e qumështit nga dy lopë me VR tani ka arritur në 27 litra. Ato shikojnë një kullotë të gjelbër dhe kjo u jep atyre një nxitje emocionale. Janë më pak të stresuara tani”, tha ai.
Koçak tani i ka porositur 10 pajisje të tjera VR për t’i provuar në më shumë lopë.
“Ata në Rusi përdornin pajisje për të dy sytë, por ne e mbyllëm vetëm njërin sy të kafshës për të eksperimentuar mbi ndikimin e saj. Ndërsa mbajnë këto, ato dëgjojnë edhe muzikë klasike”, tha ai.