Fjalë Kyçe

Kurti takon ambasadoren greke, të vullnetshëm për thellim të raporteve

Kurti takon ambasadoren greke, të vullnetshëm për thellim të raporteve

Në takimin mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së Zyrës Ndërlidhëse Greke, ambasadores Chryssoula Aliferi, u diskutua për raportet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë dhe vullnetin e të dyja palëve për thellimin e tyre.

Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon dhe dialogun me Serbinë, nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, i cili paraqet rrezik edhe për rajonin tonë, duke pasur parasysh ndikimin malinj të Federatës Ruse nëpërmjet partneritetit të tyre me Serbinë.

Aliferi shprehu vlerësimin e palës greke për rreshtimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës me vendet e tjera demokratike, në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për gatishmërinë për të ndihmuar refugjatët ukrainas.

Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadoren Aliferi për angazhimin e saj për përparimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, përgjatë mandatit të saj si shefe e Zyrës Ndërlidhëse, dhe i uroi sukses në detyrat e radhës.