Kryetari AKR-së Behgjet Pacolli ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të mikes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, ish-sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright.
Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Pacolli ka shkruar se Albright do të mbetet përjetësisht në historinë e shqiptarëve si heroinë.
Tutje ai ka thënë se Kosova duhet të shpallë ditë zie, në respekt të zonjës Albright.
“Lamtumirë zonja e madhe Madeleine Albright. Gruaja e parë në historinë e SHBA që ishte në krye të diplomacisë, do të ngelet përjetësisht në historinë e shqiptarëve si heroinë. Ajo pati kurajën që me vendosmëri ta udhëheqë botën e lirë, për ndalimin e gjenocidit ndaj popullit tonë, çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit. Kosova duhet të shpallë ditë zie, në respekt të zonjës së madhe Albright. Faleminderit zonja sekretare. Shpirti yt u prehtë në parajsë”, ka shkruar ai.