Ndonëse janë të dënuar për kryerje të veprave të ndryshme penale, të burgosurve ligji u garanton përkujdesje shëndetësore adekuate. Ofrimi i shërbimeve shëndetësore brenda burgjeve bëhet përmes Njësive Shëndetësore të burgjeve, ku ekzistojnë 10 të tilla në qendrat korrektuese dhe në qendrat e paraburgimit.
Brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës gjendet Njësia Shëndetësore e burgut, ku të burgosurit marrin trajtimin shëndetësor. Aty të privuarve nga liria u ofrohen vetëm shërbime primare shëndetësore apo shërbime që ofrohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ndërkohë që ata kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor.
Kjo ka bërë që të burgosurit që vuajnë nga sëmundje të rënda gjatë gjithë kohës të dërgohen në spitalet rajonale apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marr trajtimin për të cilin ata kanë nevojë.
Një i burgosur që vuan nga kanceri në emisionin “De Jure”, tha se dy herë i është nënshtruar operimit në prostatë, të cilin e ka kryer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Unë jam që 16 vjet e tre muaj në burg, katër sëmundje i kam marrë në burg këtu, do të thotë tensionin, bruhin dhe prostatën, do të thotë jam i bërë operacion dy herë prej prostatës para gjashtë muajsh”, tha ai.
Sipas tij, brenda burgut merr vetëm terapitë me barna, kurse të gjitha kontrollet i kryen në QKUK.
“Ai mua më ka operuar dy herë brenda nëntë dite dhe qysh më tha ai sa një portokall ta kam heq, mish të egër a çka di unë qysh. Kryesore tash momentalisht nuk jam keq, pasi këtu jam që gjashtë muaj ditë në spital jam”.