Fjalë Kyçe

Humbja ndaj Sociedadit, shpërthen Modriç

Humbja ndaj Sociedadit, shpërthen Modriç

Shpërthen Luka Modriç. Fituesi i “Topit të Artë” 2018 ka folur pas humbjes së Realit ndaj Sociedadit dhe thotë se kjo situatë është e papranueshme dhe lojtarët duhet të ndryshojnë menjëherë.

Finalisti i Botërorit me Kroacinë nuk i përdor si alibi vendimet e gabuara të arbitrit dhe thotë se problemet e Realit janë më të mëdha se kaq.

Mesfushori madrilen thotë se Solari po punon me përkushtim, por problemi i madh i skuadrës është fakti që krijon shumë raste dhe nuk i shënon ato. Ai akuzon shokët se janë larg nivelit optimal.

Situata? “Shumë lojtarë janë larg nivelit të tyre. Nuk mund ta nisim ndeshjen duke e dhje… gjithmonë. Kështu nuk luhet”.

Arsyet? “Duhet të flasim qartë. Nuk është më çështje fati. Ne krijojmë shumë raste për të shënuar, por topi nuk futet në rrjetë. Nga ana tjetër pësojmë shumë gola. Ka shumë arsye që shpjegojnë pse gjërat nuk po shkojnë mirë. Nuk është normale, sepse ne nuk po na ndodh vetëm 1 herë. Na ndodh gjithmonë dhe duhet të marrim masat”.

Arbitri? “Nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Por, problemi ynë nuk është as arbitri dhe as VAR-i, edhe pse në ndeshjen ndaj Sociedadit nuk na ndihmuan shumë… Problemet e skuadrës tonë janë të tjera”.

VAR? “Arbitri më tha që i kishin folur dhe e kishin sqaruar që nuk ishte penallti. Por, mua më duket e pabesueshme që nuk e pa vetë arbitri, por ajo iku. Në Spanjë jemi pak konfuzë me VAR-in dhe duket sikur ndaj Realit kanë frikë. Por nuk dua të flas më shumë për këtë aspekt”.

E ardhmja? “Duhet të përmirësohemi shumë. Jemi në një moment jo të mirë. Duhet të jemi bashkë si skuadër, në fushë dhe jashtë saj. Nuk duhet të flasim më nëse ka garë për titullin apo nëse ajo ka përfunduar. Duhet të ulemi si burrat dhe t’i rregullojmë gjërat. Në të kundërt s’kemi rezultate pozitive”.

Merkato? “Nuk jam unë që duhet të flas për këtë temë. Ka njerëz të tjerë në skuadër që merren me këtë çështje. Ne duhet thjesht të stërvitemi mirë dhe të punojmë shumë për të ndryshuar situatën”.

Solari? “Ai është duke punuar me përkushtim dhe me dëshirë për t’i bërë gjërat mirë. Por, sigurisht që nuk mund t’i shënojë trajneri ynë golat. Zbresim ne në fushë”.