Fjalë Kyçe

Hysaj, dëmtimi dhe e ardhmja, flet babai i Elseidit: Napoli si Shkodra, Ancelotti një garanci

Hysaj, dëmtimi dhe e ardhmja, flet babai i Elseidit: Napoli si Shkodra, Ancelotti një garanci

Elseid Hysaj nuk është një futbollist i mësuar me stolin, në 6 sezonet e fundit ka luajtur aq shumë ndeshje, saqë shpesh në media është diskutuar nëse është normale që të mos mungojë asnjëherë, në nivel klubi i kombëtareje.

Këtë sezon situata ka ndryshuar, sepse Carlo Ancelotti e ka përdorur me kujdes, e ka alternuar me Malcuit dhe ndonjëherë e ka kaluar edhe në të majtë, pasi Hysaj është i aftë të luajë në të dy krahët.

Shtatë herë në stol në kampionat, por Hysaj është i shtati në renditjen e lojtarëve më të aktivizuar te Napoli në kampionat, ndërsa më shqetësues është minutazhi i tij në Champions League, sepse mbrojtësi i Shqipërisë luajti vetëm 148 minuta në fazën e grupeve.

Kjo ka bërë që të shtohen dyshimet se Napoli po përgatitet për divorcin me mbrojtësin 24-vjeçar, i cili ka vite që ndiqet me kujdes nga disa prej klubeve më të rëndësishme në Europë. Chelsea, në radhë të parë, sepse aty është Maurizio Sarri, i cili e ka ndër të preferuarit e vet Hysajn.

Sot në mbrëmje luhet Milan-Napoli në Kupën e Italisë, por Hysaj nuk do të jetë as në stol, për një dëmtim në gju pësuar ditët e fundit. Lënia jashtë e mbrojtësit kuqezi ka bërë që të rindizen zërat për ndonjë krisje me Napolin, por më pas u sqarua që gjithçka lidhej me një dëmtim dhe Hysaj, të paktën deri në verë, nuk lëviz nga Napoli.

Spekulimet e shumta mediatike kanë shqetësuar jo pak babain e Hysajt, Gëzimin, i cili kërkon të sqarojë situatën e të birit, edhe për faktin se vetë Elseidi flet shumë rrallë në media dhe më shumë ekspozohet agjenti i tij, Mario Giufreddi.

“Për sa i takon ndeshjes mungesës në transferten e Milanos, ajo ka ardhur për shkak të një dëmtimi në gjurin e djathtë. Me këtë dua të hedh poshtë cdo lloj spekulimi që është bërë në lidhje me mungesën e Hysajy ne ndeshjen e kupës me Milanin”, shprehet babai i Hysajt, i cili flet edhe për të ardhmen e të birit.

“Ne kemi besim tek Ancelotti, Hysaj nuk e ka mendjen tek rinovimi dhe ndihet mirë tek Napoli. Hysaj është nën kontrate deri në 2021 dhe do të përpiqet të japë më të mirën e tij. Duke e njohur djalin tim dhe aftësitë e tij, jam i bindur se së shpejti do të arrijë në nivelet e tij. Elsi ka luajtur 5 vite në Serinë A dhe nuk besoj se tani duhet te vëmë në dyshim kapacitetet e tij. Që në kontaktet që kemi pasur me Ancelotti-n, ai ka thënë se beson tek Elsi dhe unë nuk dua të vë në dyshim fjalën e një trajneri si ai”.

Po zërat për transferim te Chelsea? “Zëra në merkato ka pasur, si Chelsea apo ndonjë skuadër tjetër, por Hysaj mendon të luajë te Napoli. Pjesa tjetër i takon klubit, nëse Napoli dëshiron rinovimin, ne jemi këtu dhe të luash tek Napoli është kënaqësi. Për ne të jetosh në Napoli është si të jetosh në Shkodër, pasi nga eksperienca ime në 3 vite në Napoli, kam vënë re që mes napoletanëve dhe shkodranëve ka shumë gjëra të përbashkëta”.

A është Hysaj i bezdisur nga spekulimet në media? “Elseidi nuk u kushton rëndësi atyre që dalin në media. Ai, ashtu si Strakosha, Berisha, Gjimshiti, Veseli, Ndoj e të tjerë, është një nga ambasadorët e Shqipërisë në Itali e Europë dhe duhet të jemi krenarë për gjithçka bëjnë, si shqiptarë”.