Fjalë Kyçe

Hysaj, nga Napoli drejt Romës

Hysaj, nga Napoli drejt Romës

Siç ndodhi tashmë verën e kaluar, gjatë seancës së ardhshme të merkatos, rrugët e Romës dhe Napolit mund të kryqëzohen përsëri.

Gati një vit më parë ishte Manolas dhe Diawara që “ndërruan” fanellat.

Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, ekziston mundësia që të dyja klubet të kthehen e të bëjnë biznes së bashku në muajt e ardhshëm.

Elementët që mund të ndiqnin “shtigje” të kundërta janë kryesisht tre: Hysaj, Under dhe Karsdorp. Mbrojtësi shqiptar është përfolur në të kaluarën te Roma, por kurrë nuk ka qenë në gjendje që ky operacion të përmbyllet.

Tani skenarët kanë ndryshuar, duke marrë parasysh që kontrata që e lidh shkodranin kuqezi me Napolin do të skadojë në vitin 2021.

Hysaj tashmë ka vendosur të mos rinovojë dhe klubi napolitan mezi pret të marrë ndonjë ofertë të mirë, duke e ditur që më pas mund ta humbasë si transferim falas.

Nëse rrethanat që janë krijuar mund ta shtyjnë Hysajn drejt kryeqytetit, në shtëpinë napolitane pëlqehet njëri prej xhevahireve verdhekuq: Cengiz Under.

Kontrata e Callejon do të skadojë në qershor dhe, nëse do të mbërrinte një lamtumirë e bujshme, “azzurri” do të mbeteshin vetëm me Politano si elementin e vetëm në këndin e sipërm, të djathtë.