Gjilani është mposhtur nga Prishtina me rezultat 1-2 në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Vendasit kaluan në epërsi me golin e Albert Dabiqajt, por mysafirët përmbysën gjithçka falë golave nga Besnik Krasniqi e Guathier Mankenda për t’i marrë tri pikë të mëdha.
Alban Hyseni e udhëhoqi Gjilanin në këtë sfidë, derisa pas ndeshjes tha se bën një ndeshje të mirë përkundër humbjes, duke krijuar disa raste shënimi.
“Mendoj se kemi bërë paraqitje të mirë, krijuam raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Patëm disa momente krize në ndeshje, morëm gol nga penalltia në kohë të keqe”.
“Pastaj në pjesën e dytë kërkuam të sulmonim dhe të mos ishim të kënaqur me rezultatin 1:1, morëm një gol që ishte pa meritë. Rezultati 2:1 nuk ishte real”.
“Atmosfera në skuadër është e mirë, futbolli e ka këtë. Ne vazhdojmë ku kemi mbetur dhe do të luajmë deri në fund ndeshje pas ndeshje”, u shpreh Alban Hyseni përcjell telegrafi.
Me këtë fitore Prishtina mbetet në vendin e pestë në tabelë me 42 pikë, derisa Gjilani është e treta me 55 sosh.