Kryetari i Komunës së Gjilanit njëherësh edhe nënkryetar i LDK-së, Lutfi Hazi javë më parë kishte deklaruar se ushtria e Kosovës nuk pritet të jetë një ushtri e vërtetë dhe se po bëhet për nevoja të brendshme politike.
Qëndrimet duket se nuk i kishte ndërruar as një ditë para se të formohej ushtria, duke e quajtur Qeverinë e Kosovës mosmirënjohëse ndaj BE-së dhe NATO-s.
“14 dhjetori është dita e rilindjes së Ushtrisë së Kosovës drejt ndërtimit të Forcave të Armatosura dhe anëtarësimit në NATO. Mirëpo, pa partnerët Europian, nuk ka anëtarësim në NATO dhe BE. Mos harroni, mosmirënjohëse po del të jetë Qeveria e jo populli. SHB’të janë bartësi kryesor i këtij procesi, por në parneritet me BE, ku Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia kanë histori në luftën tonë, në çlirimin tonë, në Pavarësisë e deklaruar”, kishte shkruar Haziri në profilin e tij në “Facebook”.
E në ditën që u bë ushtria më e re në rajon, KALLXO.com ka kontakuar Hazirin për të marrë qëndrimin e tij pas votimit të Ushtrisë në Kuvendin e Kosovës.
Ai për KALLXO.com tha se themelimi i Ushtrisë së Kosovës është një hap pozitiv.
“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është hap pozitiv dhe jashtëzakonisht i vlerësuar përkundër që nuk e kemi mrri me ruajt unitetin e aleatëve të BE dhe NATO. Falë mbështetjes së Amerikës është mrri me pas mbështetjen nga Britania e Madhe dhe Gjermania e Turqia. Shpresoj shumë që tash mas aktit të transformimit të arrihet edhe uniteti i NATO-s, megjithatë shpresoj që rishikimi i bashkëpunimit të NATO-s me ushtrinë e Kosovës të mos e prek misionin e saj”, tha Haziri