Adem Ramadani, i plagosur në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, thotë se ndihet i fyer nga deklaratat e fundit të një ish-ministri të Kosovës nga komuniteti serb se ngjarja në Reçak është trilluar.
Ai ka kritikuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës që nuk janë marrë me masakrën që ndodhi në fshatin e tij, ku humbën jetën më shumë se dyzet persona.
Sipas tij, deri tash as gjykatat e Kosovës nuk kanë akuzuar asnjë person për krimet e bëra.
“Masakra e Reçakut është e njohur besoj në gjithë botën. Ne ndihemi të fyer. Si nuk ndihemi të fyer kur njerëzit kanë humbur nga 3 anëtarë të shtëpisë në Reçak e në vendet tjera edhe më shumë. Por, neve na zbeh edhe një fakt tjetër, ai i qeverisë tonë pasi që kurrë nuk ka akuzuar serbët për Reçakun dhe të gjitha masakrat e tjera. Në fakt po i hapet dera Beogradit të na kundërvihen neve më këso akuza edhe të thonë se nuk ka masakra, pasi ne vet nuk po i ecim kësaj pune”, ka thënë Ramadani për REL.
Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka filluar me përgatitjet për hartimin e një ligji që të dënohet secili person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99.
Një iniciativë e tillë erdhi pasi një ish-ministër dhe një ish-zëvendës ministre e Qeverisë së Kosovës, nga komuniteti serb, u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi thanë se shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë.