Rruga drejt një karriere prej futbollisti profesionist, për 14-vjeçarin Lum Gashi, mori goditje qershorin e vitit 2017.
Me lëndime të rënda në kokë kishte përfunduar në QKUK, e për pak minuta, sipas familjarëve të tij, kishte humbur jetën klinikisht, por është kthyer në jetë, raporton KTV.
Aksidenti supozohet të ketë ndodhur në fushën e futbollit ku ushtronte, kur në një moment ai ishte kapur për shtyllën horizontale të portës, e cila kishte lëvizur dhe e kishte goditur në rënie e sipër atëherë 12-vjeçarin.
Por, Lum Gashit nuk i kujtohet një gjë e tillë, dhe sipas tij, atë ditë nuk kishin ushtruar si zakonisht, shkaku i ditëlindjes së njërit prej bashkëlojtarëve të tij.
Shkaku i këtij lëndimi, edhe familja ka kaluar në përvoja të vështira, në veçanti në periudhën sa djali po e merrte veten nga lëndimi dhe po trajtohej në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
Babai i tij, me profesion mësues i Fizikës, konteston versionin se lëndimet e djalit të tij, të jenë shkaktuar si pasojë e rrëzimit të shtyllës.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me pronarin e shkollës së futbollit “Shqiponjat”, Bujar Abdullahu, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se nuk ka qenë aty, kur ka ndodhur aksidenti.
Familja e të lënduarit, meqë dyshon se rasti është neglizhuar nga organet e drejtësisë, si palë e dëmtuar ka angazhuar avokat, që rikujton se nuk ka mbetur shumë kohë për hetimin e rastit.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore e Prishtinës, për rastin kanë thënë të kenë pranuar nga Policia, një raport të veçantë më 13 qershor të vitit 2017.
Por prokurorit, rasti i është ngarkuar vetëm në janar të këtij viti, dhe deri tani, ka intervistuar 3 persona në cilësinë e dëshmitarit, si edhe avokatin e familjes.
Sipas kësaj përgjigjeje, nga Prokurori janë paralajmëruar edhe veprime të tjera hetimore, deri në sqarimin e rastit.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13.07.2017, ka pranuar Raport të veçantë nga Policia e Kosovës, për rastin fjalë. Prokurori i çështjes, i cili aktualisht është duke e trajtuar këtë rast, është ngarkuar para një muaji, dhe ka intervistuar tre persona, në cilësinë e dëshmitarit, po ashtu ka dëgjuar edhe përfaqësuesin ligjor të të dëmtuarit, L.G. Ditët në vijim pritet që prokurori i çështjes t’i ndërmarrë edhe veprimet e tjera hetimore, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje penale”, ka thënë Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore Prishtinë.
Derisa drejtësia po tenton të hedhë dritë mbi rastin e tij, Lum Gashi, një vit e gjysmë pas lëndimit, ende nuk ndihet i sigurt të kthehet në fushën e blertë.