Katër fëmijë nga rajoni Queensland i Australisë i paketuan gjërat e tyre dhe u larguan nga familjet e tyre me një veturë, duke vozitur për rreth 900 kilometra.
Fëmijët e moshës nga 10 deri 14-vjeçare u nisën nga qyteti Rockhampton i rajonit Queensland deri në Grafton të rajonit New South Wales para se të gjendeshin nga policia.
Njëri nga fëmijët ia kishte lënë një letër familjes para se grupi të largohej me njërën nga veturat që i përkiste njërit prej baballarëve të tyre.
Besohet se fëmijët mund të jenë ndërruar në ulësen e vozitësit gjatë rrugëtimit për shkak të gjatësisë së jashtëzakonshme të rrugës që kanë bërë. Kështu tha zyrtari policor, Darren Williams.
“Është një rrugë e gjatë, gati një mijë kilometra nga Rockhampton-i deri në Grafton, prandaj nuk mund të paramendoj që vetëm një person ka vozitur gjatë tërë rrugës”, tha Williams para gazetarëve.
Pas rreth 140 kilometrave, kur kishin nevojë për karburant, besohet se fëmijët janë ndalur dhe e kanë vjedhur një enë të madhe me benzinë nga një qendër për ndreqjen e veturave në Banana në mëngjesin e së dielës.
Një polic tha se fëmijët refuzuan t’i hapnin dyert e veturës kur u ndaluan, prandaj zyrtarët u detyruan t’i hapin ato me forcë për t’i arrestuar, shkruan “The Guardian”.