Një i paraburgosur në Prizren të enjtën i ka vënë flakën sfungjerit të shtratit në qelinë e tij.
Lajmin e ka konfirmuar Hamit Ademaj, drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, shkruan Insajderi.
“Me dt.07.03.2019 rreth orës 18:55 një i paraburgosur (me iniciale M.B.) i ka vënë flakën shtratit-sfungjerit në qelinë e tij. Shpejt kanë intervenuar oficerët dhe zjarri është shuar”, ka thënë Ademaj.
Zyrtarë të KMDLNJ, gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kanë konstatuar se nuk ka pasur të lënduar në këtë zjarr.
“Më pas i paraburgosuri M.B. është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, reparti i kirurgjisë, ku ende po mbahet, por që është në gjendje të mirë dhe po mbahet nën vëzhgim permanent nga oficerët e Qendrës së Paraburgimit’, ka thënë Ademaj.
M.B. sipas njoftimit të KMDLNj-së është në paraburgim që 8 muaj.
“Ai ka shfaqur pakënaqësitë e tij edhe në seancat gjyqësore lidhur me trajtimin e tij nga gjyqësori, duke paralajmëruar se edhe mund të vetë flijohet. Për këtë ai, ka qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e menagjmentit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, pohuan zyrtarët e këtij institucioni”, thuhet në njoftim.