Mungesa e të akuzuarve për vjedhje në tentativë, Bali Tahqi, Skender Gashi dhe Valon Shala, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tyre, e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega e Malishevës.
Në seancën e së mërkurës, gjykatësi i rastit Njazi Morina, konstatoi se prezent është prokurori Armend Zenelaj dhe i dëmtuari Osman Thaqi, dhe se nuk prezantojnë të akuzuarit, ku sipas tij, gjykata nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Pasi që është konstatuar se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 prill 2019, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Morina, ka bërë të ditur se për seancën e radhës, me ftesë të rregullt do të ftohen të akuzuarit Bali Thaqi, Skender Gashi dhe Valon Shala.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 11 mars 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bali Thaqi, Skender Gashi dhe Valon Shala, me arsyetimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “vjedhje”, si bashkëkryerës në tentativë, nga neni 325, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2013, në orët e pacaktuara, në fshatin Mirushë, Komuna e Malishevës, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, në bashkëveprim, të akuzuarit Bali Thaqi, Skender Gashi, dhe Valon Shala, i kanë marrë të dëmtuarit Osman Thaqi, tre krerë lopë, derisa gjendeshin në fushë duke kullotur.
Në aktakuzë thuhet se ata fillimisht lopët i kanë futur në pyll derisa ka rënë terri i natës, pastaj i kanë lidhë lopët me konop, dhe dy prej lopëve kanë ikur dhe vetëm një ka ngelur e lidhur në mal, lopa e mbetur në mal është marrë me kamion nga të akuzuarit, dhe e kanë larguar duke e dërguar në malet e Hoçës së Madhe në Komunën e Rahovecit, duke kërkuar blerës për ta shitur lopën.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit me këto veprime, të dëmtuarit, i kanë shkaktuar dëm material, në vlerë prej 1000 euro.