Ndihmësi i vozitësit të autobusit në kompaninë për transportin e udhëtarëve “Polluzha Trans”, Driton Fanaj, është dënuar me 500 euro gjobë, për dhënie ryshfeti.
Ai akuzohej se i kishte ofruar 10 euro ryshfet policit në pikën kufitare në Merdare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktgjykimin e shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, thuhet se ky dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas saj, nëse i akuzuari nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, atëhërë gjykata këtë dënim do t’ia zëvendësojë me burgim duke i llogaritur një ditë burg me shumën 20 euro.
Ai është detyruar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 50 euro, ndërsa i është konfiskuar edhe kartëmonedha prej 10 euro, me të cilën është kryer vepra penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur një ditë pasi ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, që i akuzuari e kishte lidhur me prokurorin Arian Gashi.
Me marrëveshje parashihej që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me gjobë prej 500 euro, deri në 700 euro.
Aktakuza ndaj Fanajt ishte përpiluar më 22 shkurt 2019, për shkak të veprës penale “dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, me 5 janar 2019, gjatë periudhave të kalimit në pikën kufitare në Merdare, si ndihmës i vozitësit të autobusit në kompaninë për transportin e udhëtarëve “Polluzha Trans”, i kishte ofruar policit kufitar shumën prej 10 euro.
Këto para, sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte vendosur në librezën e qarkullimit dhe gjersa polici kufitar i kishte kërkuar sqarim nëse këto para i kishte harruar, i akuzuari iu ishte përgjigjur “nuk janë harruar, por janë për një kafe”.
Kështu, atij iu ishte konfiskuar bankënota prej 10 euro, ndërsa ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.