Fjalë Kyçe

Ia grabiten paratë punëtorit derisa po i numëronte, një muaj paraburgim për dy pejanë

Ia grabiten paratë punëtorit derisa po i numëronte, një muaj paraburgim për dy pejanë

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve A.H dhe D.T për veprat penale “grabitje” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Më 5 maj, dy të pandehurit nën kërcënimin e armës kishin shkuar në filialin e “IPKO” ku punëtori ishte duke numëruar paratë e pazarit dhe ia kanë grabitur paratë. Më pas ata u larguan nga vendi i ngjarjes, por u zunë dhe u arrestuan nga policia, njofton Klan Kosova.

“Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe duke e pasë parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe janë arrestuar pas një pune operative në bashkëpunim me policinë, ashtu që me gjetjen e mundshme të tyre në liri, mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, në këtë fazë të procedurës do të analizohen video incizimet si dhe do të dëgjohet i dëmtuari dhe vetë të pandehurit andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në të dëmtuarit dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Për më tepër, duke pas parasysh peshën e veprës penale, motivin, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale në bashkë kryerje dhe nën kërcënimin e armës, tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri, mund të përsërisin veprat e njejta penale apo të kryejnë vepra të ngjashme. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, ka thënë gjykata.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.