Sipas disa dëshmitarëve, një klient i një restoranti e ka qëlluar për vdekje një kamerier në periferi të Parisit për shkak se e la të priste gjatë për një sanduiç.
Kolegët e kamerierit të sulmuar e thirrën policinë pasi ai u qëllua në kraharor me një pistoletë në lagjen Noisy-le-Grand, 15 kilometra në lindje të Parisit.
Përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar kamerierin 28 vjeç dështuan dhe ai vdiq në vendin e ngjarjes.
Sulmuesi është larguar menjëherë nga restoranti, shkruan “The Guardian”.
Policia i ka filluar hetimet lidhur me këtë rast.
Të tronditur nga ngjarja e pazakontë, banorët e kësaj zone u mblodhën para restorantit ku ndodhi vrasja.
“E vranë për një sanduiç?”, pyeti dikush që nuk mund të besonte.
“Ashtu po thonë. Ky është një restorant i qetë dhe pa probleme. Është hapur para disa muajsh”, u përgjigj një grua 29 vjeçe.
Disa persona të tjerë thanë se niveli i krimit në këtë zonë është i lartë, kryesisht për shkak të përdorimit të drogës dhe personave të dehur, por jo për arsyen që e solli vrasjen e kamerierit.